Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron dhe siguron të gjithë konkurentët që kanë marrë pjesë në testimin e datës 16 shkurt, se aktualisht kanë të publikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë” pikët sipas meritës së gjithsecilit.

Publikimi i pikëve të ndryshme në portal ka ndodhur për disa minuta, për shkak të një problemi teknik kompjuterik, që u korrigjua menjëherë pas konstatimit, veprim ky pa pasoja dhe këtë e provon fakti (teza e korrigjuar dhe e arshivuar), që sipas procedurës është e drejta e çdo kandidati të ballafaqohet me tezën e tij.

Për këtë arsye, është zgjatur afati i ankimimit, deri në sqarimin e secilit prej kandidatëve, të cilët mund të paraqiten fizikisht pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ku mund të shohin vetë pikët e testimit të tyre.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se në 8 konkurset e zhvilluara të “Infermierë për Shqipërinë” nuk është konstatuar asnjë problem dhe rezultatet janë shpallur në kohë reale.