Në zbatim të Udhëzim Nr. 204, datë 09.04.2024 “Për procedurat e punësimit, emërimit, pezullimit, lirimit dhe të disiplinës për profesionet e shkencave mjekësore teknike në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet platformës elektronike “Infermier për Shqipërinë” të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor shpall thirrjen për konkurrim për profesionistë të shkencave mjekësore teknike për profilet Infermieri, Mami, Teknik Imazherie, Teknik Laboratori, Fizioterapi dhe Logopedi për institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë.
Procesi i konkurrimit për profesionistët e shkencave mjekësore teknike, zhvillohet për:
- të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi për ushtrimin e profesionit
- kandidatët që kanë marrë pjesë në testimin me shkrim “Infermier për Shqipërinë” të thirrjes paraardhëse dhe që dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e tyre. Në fund të konkurrimit, kandidatëve do t’iu njihen pikët e procesit aktual.
- kandidatët, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në procedurën e mëparshme të pranimit dhe kanë dokumentacion shtesë, e depozitojnë atë pranë Sekretariatit Teknik. Komisioni i Vlerësimit mban procesverbal dhe shton pikët e kandidatit.
Aplikimi dhe regjistrimi i kandidatëve do të kryhet vetëm nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”. Afati për aplikim është nga data 22.08.2024 deri më datë 05.09.2024, përfshirë të dyja këto data.
Kandidatët kanë të drejtë, që në një thirrje për aplikim, të konkurrojnë vetëm për një rajon, brenda të cilit do të mund të përzgjedhin deri në tri njësi vendore të kujdesit shëndetësor.
Dokumentat e domosdoshëm për aplikim për profesionistët e shkencave mjekësore teknike:
a) jetëshkrimin e kandidatit (CV) (shtojca nr. 1, bashkëlidhur këtij Njoftimi)
b) fotokopje të letërnjoftimit (ID) – kriter i detyrueshëm për kualifikim;
c) fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë dhe gjeneralitetet e kandidatit);
d) diplomën universitare dhe listën e notave. Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (kriter i detyrueshëm për kualifikim);
e) lejen e ushtrimit të profesionit brenda afatit të vlefshmërisë (kriter i detyrueshëm për kualifikim);
f) deklaratë për vërtetësinë e dokumentacionit të ngarkuar on-line (shtojca nr. 2, bashkëlidhur këtij Njoftimi);
g) dëshmi të kualifikimeve shkencore (gradë ose titull akademik/shkencor);
h) dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja.
Kandidati, dosja e të cilit nuk përmban dokumentet e detyrueshme si më sipër, skualifikohet.
Vlerësimi paraprak i kandidatëve do të publikohet më datë 27.09.2024. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rend zbritës.
Kandidatët, njoftohen nga Sekretariati Teknik i platformës “Infermier për Shqipërinë” në të njëjtën ditë që do të publikohet vlerësimi paraprak në portalin “Infermier për Shqipërinë”. Njoftimi bëhet nëpërmjet postës elektronike si për kandidatët e kualifikuar ashtu edhe ata të cilët nuk janë kualifikuar, duke arsyetuar shkaqet e skualifikimit.
Kandidatët kanë të drejtën e ankimit të vlerësimit brenda 48 orëve që nga marrja e njoftimit me email, në ndërfaqen “Ankesa Ime” të platformës elektronike ose në adresën elektronike zyrtare nëpërmjet së cilës janë bërë me dije për vlerësimin apo moskualifikimin dhe/ose me shkresë drejtuar DROSHKSH-së përkatëse.
Vlerësimi përfundimtar i kandidatëve për Faza I do të publikohet më datë 15.10.2024. Në të pasqyrohen ndryshimet pas përfundimit të afatit të ankimimeve dhe shqyrtimit të tyre. Kandidatët , të cilët kanë pësuar ndryshime në vlerësimin e tyre, do të njoftohen nga Sekretariati Teknik nëpërmjet postës elektronike të vendosur në aplikimin e tyre.
Vlerësimi i kandidatit
Faza I: Vlerësimi i dosjes së kandidatëve konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, deri në 30 pikë. Kriteret e vlerësimit dhe shkalla e vlerësimit të kualifikimeve nga dosja e kandidatëve përcaktohen sipas Shtojca Nr. 3, bashkëlidhur këtij Njoftimi.
Faza II: “Testimi i informatizuar”, marrin pjesë kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje si dhe kandidatë që janë në listë pritjeje dhe dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e testimit të mëparshëm, duke u regjistruar pranë drejtorisë rajonale përkatës. Testimi i informatizuar vlerësohet deri në deri në 70 pikë.
Qendra e Shërbimeve Arsimore, është institucioni përgjegjës për zhvillimin e Faza II, Testimi i Informatizuar, në ambientet e saj (Qendra e Shërbimeve Arsimore me adresë: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 23, Tiranë, ish-ATSH).
Ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me:
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal)
- Kopje të Kartës ID ose Pasaportës
- Faturën me pagesën e tarifës për QSHA-në.
Fusha kryesore e testimit të njohurive:
- Kodi Etik-Deontologjik.
- Ligji nr.10 107, datë 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Ligji nr.9718, datë 19.4.2007 “Për Urdhërin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”.
- Pyetje të hartuara që lidhen me formimin profesional në bazë profili, sipsas një metodologjie nga Udhëzimi Nr. 204, datë 09.04.2024.
Kalendari i testimit (i përgatitur nga QSHA) publikohet dhe në portalin “Infermierë për Shqipërinë”.
Në përfundim të procedurës së vlerësimit si dhe afateve për shqyrtimin e ankimeve (Faza I dhe Faza II) publikohet në portalin “Infermier për Shqipërinë” lista e kandidatëve që kanë përfunduar me sukses proçesin e konkurrimit. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rend zbritës.
Kandidati konsiderohet fitues nëse ka marrë mbi 40 pikë në total dhe bëhet pjesë e listëpritjes së profesionistëve të shkencave mjekësore teknike të njësive vendore të kujdesit shëndetësor të rajonit në të cilin ka aplikuar.
Adresat e Drejtorive Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor:
1.Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elbasan
Lagjia “Beqir Dardha”, Rruga “28 Nentori”, Elbasan.
2.Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Tiranë:
Rruga “Qamil Guranjaku”, Tiranë.
3.Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Shkodër:
Rruga “Bujar Bishanaku”, Shkodër.
4.Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Vlorë:
Lagjia “15 Tetori”, Rruga “Mitaq Sallata”, Vlorë.
OSHKSH njofton se për shkak të festës zyrtare datë 05.09.2024 (Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës) afati për aplikim shtyhet deri më datë 06.09.2024, ora 20:00.